Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Qeveria e Malit të Zi dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) kanë nënshkruar sot Marrëveshjen e kredisë dhe Marrëveshjen e projektit për ndërtimin e pjesës së dytë të autostradës Tivar–Bolare.
Ceremonia u mbajt në Villa Goricë në prani të kryeministrit Millojko Spajiq, ku u nënshkruan dokumentet që sigurojnë 150 milionë euro ndihmë të pakthyeshme nga BE-ja dhe 200 milionë euro kredi të favorshme nga BERZH.
Kryeministri Spajiq theksoi se ndërtimi i infrastrukturës rrugore është prioritet absolut i qeverisë dhe se projekti përfaqëson simbolin e bashkëpunimit me BE-në.
Ai shtoi se përkundër sfidave dhe ndryshimeve në trase, tashmë ekziston baza ligjore dhe financiare për fillimin e punimeve, të cilat pritet të nisin pas përzgjedhjes së kontraktorit në shtator.
Ambasadori i BE-së, Johan Sattler, theksoi se donacioni prej 150 milionë eurosh është më i madhi ndonjëherë për Malin e Zi dhe se kjo është një investim strategjik për të ardhmen e vendit, veçanërisht për zhvillimin e veriut.
Ai theksoi rëndësinë e zbatimit të projektit sipas standardeve evropiane, përfshirë transparencën, mbrojtjen e mjedisit dhe respektimin e komuniteteve lokale.
BERZH e ka cilësuar autostradën Tivar–Bolare si një investim strategjik për zhvillimin ekonomik dhe lidhjen më të mirë rajonale të Malit të Zi.
Ky është projekti i 100-të i mbështetur nga BERZH në Mal të Zi, me investime të përgjithshme që tejkalojnë një miliard euro.
Ministri i Financave, Novica Vukoviq, theksoi se investimi përbëhet nga ndihma e BE-së, kredia e BERZH-it dhe fondet shtetërore, duke dëshmuar kapacitetin e Malit të Zi për të planifikuar dhe realizuar projekte të mëdha infrastrukturore në mënyrë transparente dhe të qëndrueshme.
Ministrja e Transportit, Maja Vukiqeviq, njoftoi se janë përfunduar zgjidhjet konceptuale për 585 km rrugë të reja dhe se deri në fund të vitit të ardhshëm pritet përfundimi i projekteve për të gjithë trasenë e autostradës Tivar–Bolare.
Për segmentin e dytë, është përzgjedhur tashmë konsulenti dhe procedurat e tenderimit janë në fazën përfundimtare.