Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Këshilli për Sigurinë Kombëtare i Malit të Zi ka rekomanduar Ministrisë së Drejtësisë që, në bashkëpunim me Komisionin Evropian, të përgatisë urgjentisht një model për futjen e vetingut në sistemin gjyqësor.
Ky model do të fokusohet në verifikimin e integritetit, profesionalizmit dhe stilit të jetës së bartësve të funksioneve gjyqësore, në përputhje me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare.
Në mbledhjen e nëntë të Këshillit, të kryesuar nga kryeministri Millojko Spajiq, u shqyrtuan rastet e vrasjeve me karakteristika mafioze dhe u theksua lidhja mes rritjes së krimeve të rënda, rritjes së lirimeve nga paraburgimi dhe mosmarrjes së vendimeve gjyqësore brenda tre viteve nga ngritja e aktakuzës.
Këshilli propozoi ndryshime në Kodin e Procedurës Penale për të zgjatur afatin maksimal të paraburgimit për veprat më të rënda penale.
Gjithashtu, kërkoi nga Këshilli Gjyqësor të dorëzojë të dhëna për vendimet gjyqësore të vonuara dhe rastet kur paraburgimi është ndërprerë për shkak të tejkalimit të afateve.
Ministrisë së Drejtësisë i është kërkuar të intensifikojë punën për hartimin e Ligjit për konfiskimin e pasurisë së fituar nga aktivitetet kriminale deri në muajin tetor.
Gjithashtu, Ministrisë së Financave i është rekomanduar të fillojë me përgatitjet për krijimin e një Agjencie të Pavarur Financiare për kontrollin e pasqyrave dhe raporteve financiare.
Këshilli i dha mbështetje të plotë ushtruesit të detyrës së drejtorit të Policisë, Lazar Shqepanoviq, dhe ekipit të tij në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në fund të mbledhjes, u vendos që një takim i ngushtë i Këshillit të mbahet më 25 korrik për të detajuar hapat operativë për zbatimin e masave të miratuara.