SHBA-ja E SHQETËSUAR SEPSE NË QEVERI KA PARTI QË NUK E DËNOJNË AGRESIONIN RUS KUNDËR UKRAINËS

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Podgoricë shprehet e shqetësuar për përfshirjen në Qeveri të partive dhe liderëve që nuk e dënojnë agresionin rus ndaj Ukrainës dhe kundërshtojnë sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.

Nga Ambasada amerikane thanë për Radion Evropa e Lirë se mbështesin një qeveri të përkushtuar për anëtarësimin e shtetit në BE, respektimin e vlerave euroatlantike dhe pjesëmarrjen e plotë në NATO, që pasqyron përbërjen multikulturore të Malit të Zi.

“Ne jemi të shqetësuar për përfshirjen në Qeveri të partive dhe liderëve që nuk dënojnë agresionin rus kundër Ukrainës, janë kundër sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe veprimet e të cilëve janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”, tha Ambasada amerikane.

Ambasada amerikane u bëri thirrje Qeverisë dhe deputetëve të mbesin të përqendruar në qëllimin e përbashkët, që është anëtarësimi i Malit të Zi në BE, dhe të shmangin çështje joproduktive që kërcënojnë këtë qëllim dhe shkaktojnë përçarje.

“Si aleate dhe partnere e ngushtë i Malit të Zi, SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë dhe njoh veprimet konstruktive të Kuvendit dhe Qeverisë, duke vënë në pah aktivitete që janë në kundërshtim me vlerat euroatlantike dhe rrezikojnë përparimin e prekshëm drejt integrimit. në Bashkimin Evropian”, tha Ambasada amerikane në një përgjigje për REL-in.

SHARE