RAUNDI I DYTË PËR ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT PËRFUNDON PA KANDIDATË

Kuvendi i Shqipërisë ka mbyllur edhe raundin e dytë të procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit pa asnjë kandidaturë zyrtare. Në seancën e sotme parlamentare, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, tha se votimi quhet i kryer edhe kur nuk paraqitet asnjë kandidaturë. Sipas kryeparlamentares Nikolla, votimi i dytë konsiderohet i ezauruar. Sipas Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut pranë Kuvendit të Shqipërisë, asnjë kandidaturë për postin e presidentin deri në afatin e caktuar (22 maj) nuk është depozituar në Kuvend. Konferenca e Kryetarëve që vendos për programin e punës dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit do të caktojë datën për votimin e tretë. Kujtojmë se raundi i parë për zgjedhjen e presidentit u ezaurua më 16 maj pa kandidatë zyrtarë, pasi grupet parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë nuk dorëzuan kandidatura.

SHARE