IVANOVIQ: MALI I ZI MBETET KANDIDATI MË I AVANCUAR DHE NJË PARTNER I BESUESHËM NË RRUGËN EVROPIANE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi për Punë të Jashtme dhe Evropiane, Filip Ivanoviq, iu drejtua anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), ku prezantoi rezultatet kyçe dhe hapat reformues që Mali i Zi ka arritur në periudhën e kaluar në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Ivanoviq vuri në dukje se Mali i Zi mbetet vendi kandidat më i avancuar, duke theksuar se rruga evropiane e Malit të Zi është një prioritet institucional dhe politik, i cili gëzon mbështetje të gjerë në Parlament, në mesin e aktorëve politikë dhe ajo që është veçanërisht e rëndësishme në mesin e më shumë se 80% të qytetarëve.

„Angazhimi ynë për integrimin në BE nuk është retorik, por i rrënjosur thellë në konsensusin publik dhe i njohur si orientimi strategjik i shtetit. Reformat që po i zbatojmë nuk janë formale, por thelbësore, si për sundimin e ligjit ashtu edhe për funksionimin e institucioneve,“ tha Ivanoviq.

Duke folur për prioritetet e politikës së jashtme, Ivanoviq theksoi se Mali i Zi, si një aleat i besueshëm i NATO-s, në mënyrë aktive po e forcon rezistencën e tij ndaj dezinformatave dhe ndërhyrjeve të huaja duke investuar në sigurinë kibernetike, edukimin mediatik dhe edukimin qytetar.

Në këtë kontekst u përmend veçanërisht themelimi i Qendrës Rajonale për Siguri Kibernetike në Podgoricë, në bashkëpunim me Francën dhe Slloveninë.

Në vazhdim të seancës, deputetë të shumtë të Parlamentit Evropian shprehën mbështetjen e tyre të fuqishme për Malin e Zi dhe kursin e tij reformues, duke theksuar veçanërisht shpejtësinë dhe seriozitetin me të cilin po zbatohen ndryshimet kryesore.

SHARE