Foto: Olsi shehu/AA
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve i Shqipërisë, Ilirjan Celibashi, në një konferencë për mediat u shpreh se procesi i përgatitjes për zgjedhjet parlamentare është duke shkuar sipas parashikimeve, raporton Anadolu.
Celibashi u fokusua në çështjet mbi përgatitjet e procesit zgjedhor brenda dhe jashtë vendit.
“Janë duke u përgatitur së bashku me fletët e votimit edhe materialet e tjera zgjedhore për votimin brenda vendit. Mund të thuhet që përgjithësisht se procesi i përgatitjes logjistike është duke shkuar sipas parashikimeve tona”, tha ai.
Celibashi theksoi se kanë mbërritur fletët e votimit nga jashtë prej disa ditësh.
“Për sa i përket votimit nga jashtë kemi përfunduar dorëzimin e zarfeve për 100 për qind të votuesve të cilët janë regjistruar. Jemi në procesin e shpërndarjes së këtyre zarfeve. 62 për qind e zgjedhësve nga jashtë e kanë marrë dokumentacionin zgjedhor. Kanë mbërritur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve deri tani dhe janë përpunuar 12,5 për qind të fletëve të votimit (nga jashtë) të cilat janë dorëzuar deri tani”, tha ndër tjera Celibashi.
Ai gjithashtu theksoi se kanë ngritur qendrat e informimit të votuesve mbi pajisjet elektronike të votimit.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë, të drejtën e votës e kanë 3.713.761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit, ndër ta 114.642 zgjedhës votojnë për herë të parë.
Nga të dhënat zyrtare të publikuara në uebfaqen e KQZ-së, konfirmohet se numri përfundimtar i votuesve nga jashtë është 245.935 dhe procesi i votimit nga jashtë vazhdon.
Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri do të mbahen më 11 maj, ndërkohë KQZ-ja dhe institucione të tjera vazhdojnë përgatitjet për procesin zgjedhor.