Bashkimi Evropian i është afruar heqjes së masave kufizuese ndaj Kosovës, të vendosura para një viti nga ana e Komisionit Evropian, si pasojë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës.
Masat përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.
Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit).
Pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik të vitit të kaluar, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh.
Radio Evropa e Lirë nga disa burime diplomatike në BE mëson se shumica dërmuese e vendeve anëtare janë në favor të heqjes së të gjitha masave, ndërsa një numër më i vogël i shteteve do që heqja e tyre të bëhet në mënyrë graduale.
Kundër heqjes së masave, sipas këtyre burimeve, nuk është shprehur asnjë vend anëtar i BE-së. Kjo përshtypje është vërejtur në diskutimin e fundit që është zhvilluar në BE të martën mbrëma për situatën aktuale në Kosovë. Diskutimi është bërë në Komitetin për politikë edhe siguri të BE-së (PSC) ku janë ambasadorët e 27 vendeve anëtare.
“Shumica e vendeve anëtare duan që të hiqen të gjitha masat ndaj Kosovës, por janë disa vende, në mesin e tyre edhe tri vendet e QUINT-it (Gjermania, Franca dhe Italia) që duan heqjen graduale të masave ndaj Kosovës”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë një burim diplomatikë i BE-së.