Kryetarja e Parlamentit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviq, mori pjesë në një mëngjes pune për kryetarët e parlamenteve të vendeve kandidate për anëtarësim në BE në Pragë, gjatë të cilit u shkëmbyen përvoja për rolin e parlamenteve kombëtare në rrugën evropiane.
Gjuroviq theksoi se ishte një mundësi për të shkëmbyer përvojë mbi rolin e parlamenteve kombëtare në rrugën evropiane.
“Kjo ishte një mundësi e mirë për të dëgjuar zërin e vendeve që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së dhe për të vënë në dukje pengesat dhe problemet kryesore me të cilat përballen në këtë proces”, ka thënë Gjuroviq në një postim në Twitter.
Duke kujtuar se Mali i Zi ka shkuar më larg në procesin e negociatave dhe se ka hapur të gjithë kapitujt dhe ka mbyllur përkohësisht tre, kryetarja e Kuvendit tregoi se edhe Mali i Zi ka pranuar metodologjinë e re të zgjerimit të BE-së.
Fusha e shtetit të së drejtës është prioritet dhe faktor që ka ndikim dominues në dinamikën e negociatave me BE-në, tha Gjuroviq dhe informoi të pranishmit për aksionet e mëdha të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë që po kryhen në Mal të Zi.
“Duke theksuar se rrethanat aktuale gjeopolitike të lidhura me luftën në Ukrainë kanë ndikuar në uljen e skepticizmit të vendeve anëtare ndaj zgjerimit të mëtejshëm të BE-së, Gjuroviq tregoi se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të përmirësuar statusin e tyre në procesin e anëtarësimit”, thuhet në deklaratë.