UKRAINA E PËRJETON “NJË TJETËR NATË TERRORI” PASI RUSIA E SULMON ME 426 DRONË E RAKETA

Ukraina njoftoi të martën se Rusia i ka lëshuar 426 dronë dhe raketa drejt saj, teksa bisedimet për paqe vazhdojnë të jenë të pezulluara si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit në Lindje të Mesme.

Të paktën katër njerëz janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në sulmet e mbrëmshme ruse të cilat kanë goditur rajone të ndryshme të shtetit, kanë bërë të ditur autoritetet ukrainase të martën.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se “përpjekjet për kërkim-shpëtim po vazhdojnë” pas sulmeve ruse, dhe se “për dëme është raportuar në 11 rajone”.

“Një tjetër natë terrori rus kundër Ukrainës”, ka thënë ministri i Jashtëm, Andriy Sybiha.

“Kur Rusia dështon në fushëbetejë dhe nuk mund ta imponojë vullnetin e saj në tavolinën negociuese, ajo e përdor terrorin kundër civilëve”, ka thënë Sybiha. “Metoda tipike të kriminelëve rusë”.

“Presioni ndaj Rusisë duhet të intensifikohet pa vonesa. Sanksionet duhet të godasin më ashpër. Duhet të miratohet paketa e 20-të e Bashkimit Evropian”, ka shkruar Sybiha në X.

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, i ka dënuar sulmet ruse në infrastrukturën civile të energjisë në Ukrainë dhe i ka përshkruar si “krim lufte dhe sulm ndaj të gjithë nesh”.

Sipas forcës ajrore ukrainase, Rusia i ka lëshuar 34 raketa dhe 392 dronë, përfshirë shtatë raketa balistike Iskander, 23 raketa lundruese dhe katër raketa ajër-ajër. Ushtria ukrainase thotë se forcat e saj ajrore kanë kapur 365 dronë dhe 25 raketa.

Në fjalimin e tij të natës, vetëm disa orë para sulmeve ruse, Zelensky, duke iu referuar raporteve të inteligjencës, paralajmëroi për një sulm të mundshëm rus në shkallë të gjerë dhe u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë vigjilentë ndaj sinjaleve të alarmit ajror.

SHARE