Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, u bëri thirrje aktorëve politikë në Kuvend që të miratojnë listat e hapura zgjedhore, duke theksuar se reforma të tilla janë kyçe për forcimin e legjitimitetit demokratik dhe përgjegjësisë së përfaqësuesve të zgjedhur ndaj qytetarëve.
Ai theksoi se shtetit i nevojiten reforma thelbësore zgjedhore, para së gjithash vendosja e listave të hapura, të cilat, sipas tij, do t’u mundësonin qytetarëve të zgjedhin drejtpërdrejt përfaqësuesit e tyre në Kuvend dhe në këtë mënyrë të forcojnë legjitimitetin dhe përgjegjësinë e tyre demokratike.
Ai rikujtoi se që vitin e kaluar kishte dërguar një iniciativë për vendosjen e listave të hapura dhe kishte kërkuar referendum për këtë çështje, duke theksuar se qëllimi i kësaj reforme është forcimi i lidhjes ndërmjet qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre në parlament.
“Mali i Zi ka nevojë për lista të hapura. Na duhet një Kuvend në të cilin deputetët kanë legjitimitet që vjen drejtpërdrejt nga qytetarët. Pikërisht për këtë shërbejnë listat e hapura, që përfaqësuesit tanë më në fund të jenë përgjegjës ndaj atyre që i zgjedhin drejtpërdrejt”, theksoi Millatoviq.
Ai shtoi se përshëndet çdo veprim politik që shkon në drejtim të përmirësimit të sistemit zgjedhor dhe rritjes së përgjegjësisë së përfaqësuesve të zgjedhur ndaj qytetarëve.
Ai u bëri apel të gjithë aktorëve politikë në Kuvendin e Malit të Zi që të tregojnë përgjegjësi politike dhe të zbatojnë reformën kyçe të legjislacionit zgjedhor.
“I bëj edhe një herë apel të gjithë aktorëve politikë në Kuvendin e Malit të Zi. Mos luani më me qytetarët e Malit të Zi. Miratoni reformën kyçe dhe thelbësore. Miratoni listat e hapura”, deklaroi Millatoviq.










