KONFUZION SHBA–IRAN PËR BISEDIMET, SITUATA FLUIDE

Pas deklaratave kontradiktore mes Uashingtonit dhe Teheranit për mundësinë e bisedimeve, tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta. Ndërsa ShBA thotë se planet për dialog janë “fluide”, Irani mohon çdo takim të afërt.

Shtëpia e Bardhë i ka thënë transmetuesit publik të Britanisë, BBC-së se planet për bisedime me Iranin mbeten “fluide” dhe se çdo spekulim “nuk duhet marrë si përfundimtar”.

Kjo pason deklaratat kontradiktore të presidentit amerikan Donald Trump i cili tha se kishte pasur “bisedime konstruktive” dhe se kishte shtyrë sulmet e planifikuara ndaj centraleve iraniane.

Teherani reagoi duke i quajtur pretendimet “fake news”. Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Iranit i ka thënë CBS News se vendi ka marrë “propozime nga SHBA përmes ndërmjetësve”, të cilat po shqyrtohen. Ka raportime se i dërguari i Trumpit për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, mund të takohet me zyrtarë iranianë këtë javë në Pakistan.

Ministria e Jashtme pakistaneze deklaroi se vendi “është gjithmonë i gatshëm të mirëpresë bisedimet, nëse palët e dëshirojnë”. Shtëpia e Bardhë paralajmëroi se asnjë takim formal mes liderëve të dy vendeve nuk është konfirmuar. Ndërkohë tregjet e energjisë reaguan ndaj mundësisë së bisedimeve SHBA-Iran.

Nafta fillimisht ra pas postimit të Trump për negociatat e pastaj u rrit sërish mbi 100 dollarë për fuçi, për shkak të pasigurive dhe sulmeve të vazhdueshme në rajon. Ekspertët paralajmërojnë se tregu do të mbetet i paqëndrueshëm për sa kohë që konflikti vazhdon. Në terren, Irani kreu disa vala sulmesh me raketa drejt Izraelit, duke shkaktuar dëme në ndërtesa në Tel Aviv dhe në qendër të vendit. Sipas Magen David Adom, ekipe të kërkim-shpëtimit u dërguan në zonën qendrore pasi u raportuan “goditje të shumta”.

Ndërkohë, në Liban, avionët izraelitë lanë goditje të tjera mbi Bejrut, ndërsa mëngjesin e sotëm ushtria izraelite u ka bërë thirrje banorëve në jug të vendit të evakuohen, duke u përgatitur për të sulmuar objektiva të reja të Hezbollahut.

Bahraini raportoi se shërbimet e zjarrfikësve kanë shuar një zjarr në një kompani të paidentifikuar, duke e lidhur incidentin me “agresion iranian”. Më herët, qytetarëve u ishte kërkuar të strehoheshin në vende të sigurta pasi sirenat e alarmit u aktivizuan. Në Londër, Ministrja e Financave Rachel Reeves njoftoi se do të informojë deputetët mbi ndikimin ekonomik të krizës në Lindjen e Mesme, përfshirë mundësinë e rritjes së faturave të energjisë.

SHARE