Sekretarja e Përgjithshme e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Helga Maria Schmid, po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë në një deklaratë për mediat ajo theksoi se Shqipëria është një anëtare aktive dhe e besuar e OSBE-së.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka theksoi se konfirmuan edhe një herë qëndrimin e Shqipërisë ndaj “agresionit të paligjshëm të Rusisë kundër Ukrainës”.
“Ky takim vjen në një moment vërtet të vështirë për sigurinë dhe bashkëpunimin në Evropë si pasojë e agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës. Kjo padyshim ishte dhe një nga temat kryesore që ne diskutuam sot gjatë takimit tonë”, tha Xhaçka.
Ajo tha se këtë vit rajoni ka pasur një rol të posaçëm në OSBE pasi Maqedonia e Veriut është kryesuesja e radhës e OSBE-së për vitin 2023, që sipas saj, padyshim e sjell rajonin dhe zhvillimet në të, në fokusin e organizatës edhe më shumë se zakonisht.
Schmid deklaroi se Shqipëria është një anëtare aktive dhe e besuar e OSBE-së.
“Ne jetojmë në kohë shumë të vështira, duke iu referuar edhe agresionit në Ukrainë, i cili ka pasur një ndikim edhe përtej Ukrainës. Kemi rënë dakord gjithashtu që OSBE-ja është një shtyllë kryesore për arkitekturën e sigurisë në Evropë. Bashkëpunimi rajonal mendoj që është në anën e organizatës tonë. Më ka bërë shumë përshtypje roli i Shqipërisë për arritjet në fushën e politikës së jashtme”, tha ajo.