LIDERËT E NATO-s PAJTOHEN TË FORCOJNË KRAHUN LINDOR TË ALEANCËS

Udhëheqësit e NATO-s vendosën të ristrukturojnë pozicionin afatgjatë të mbrojtjes së aleancës në krahun lindor dhe të dërgojnë mbështetje të mëtejshme për Ukrainën në luftë. “Sot, liderët e NATO-s ranë dakord të ristrukturojnë parandalimin dhe mbrojtjen tonë për një afat më të gjatë për t’u përballur me një realitet të ri sigurie”, u tha gazetarëve Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg pas takimit të jashtëzakonshëm në Bruksel për të trajtuar luftën njëmujore të Rusisë kundër Ukrainës. Ai shpjegoi se NATO do të ketë “thelbësisht më shumë forca në pjesën lindore të aleancës në gatishmëri më të lartë”, duke përfshirë më shumë pajisje dhe furnizime të paravendosura në terren, më shumë avionë dhe sisteme të forcuara të mbrojtjes ajrore dhe raketore, si dhe më shumë transportues anijesh, nëndetëse dhe një numër të konsiderueshëm anijesh luftarake në baza të përhershme. NATO gjithashtu do të përforcojë mbrojtjen e saj kibernetike dhe do të punojë për të siguruar ndërveprim më të mirë midis aftësive kombëtare, tha ai. Udhëheqësit caktuan komandantët ushtarakë të punojnë mbi planet dhe vendimi përfundimtar pritet në samitin e NATO-s në Madrid këtë qershor. Aleatët e NATO-s ranë gjithashtu dakord të dërgojnë ndihmë të mëtejshme në Ukrainë, duke përfshirë asistencën për sigurinë kibernetike, furnizime mjekësore dhe pajisje mbrojtëse kundër kërcënimeve biologjike, kimike, radiologjike dhe bërthamore.

SHARE