E PREMTJA SHPALLET DITË ZIE NË KOSOVË

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shpallur 25 marsin, ditën e premte, ditë zie në nderim të mikes së madhe të Kosovës, Madeleine Albright, ish-sekretares së Shtetit të SHBA-së. Sipas njoftimit nga Presidenca, vendimi është marrë në shenjë respekti shtetëror për ish-sekretaren e ndjerë Albight, e cila dje ndërroi jetë në moshën 84-vjeçare. “Zonja Albright e njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, tha presidentja Osmani. Me vendim të presidentes Osmani, nesër flamujt shtetëror do të ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit. Ish-sekretarja e Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright e cila dje ndërroi jetë pas një sëmundjeje, ishte sekretare në kohën kur në Kosovë u zhvillua lufta fundit. Ajo vlerësohet se pati ndikim të madh për të bindur SHBA-në dhe botën për krimet serbe që po kryheshin në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe. Albright ka shërbyer si kryediplomate nga vitit 1997 deri në vitin 2001 nën udhëheqjen e ish-presidentit amerikan Bill Clinton.

SHARE