ZËVENDËSKRYEMINISTRI BISLIMI DHE MINSTRI I MJEDISIT, PLANIFIKIMIT HAPËSINOR DHE INFRASTRUKTURËS ALIU, U PRITËN NË TAKIM NË PODGORICË

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, u pritën në takim në Podgoricë nga zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq. E pranishme në takim ishte edhe ambasadorja e Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka Hoxha.

Përmes një njoftimi për media, bëhet e ditur se palët në këtë takim kanë biseduar për projektet e përbashkëta, mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik, tejkalimin e barrierave ekzistuese dhe lehtësimin e procedurave administrative.

Në njoftim thuhet se zëvendëskryeministri Bislimi ka folur rreth procesit të integrimit evropian pas edhe aplikimit për anëtarësim në muajin dhjetor, duke vlerësuar mbështetjen e Malit të Zi për rrugëtimin evropian të Kosovës.

“Nga Mali i Zi mund të përfitojmë bashkërisht nga eksperienca në proces dhe të ecim drejt objektivit të përbashkët të aderimit në familjen evropiane. Kosova dhe Mali i Zi i përkasin Bashkimit Evropian”, ka thënë Bislimi.

Po ashtu njoftohet se në këtë takim është biseduar edhe në lidhje me projektet infrastrukturore ku thuhet se Ministri Aliu ka premtuar se do të punojnë me intensitet për të avancuar dhe çuar para ndërtimin e rrugëve Pejë-Rozhajë dhe ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë.

“Do të punojmë me intensitet për të avancuar dhe çuar para ndërtimin e rrugëve Pejë-Rozhajë dhe ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë, projekte këto të shumëpritura për qytetarët e të dyja vendeve, me rëndësi madhore për infrastrukturën dhe ekonominë, projekte kombëtare që lehtësojnë ndërlidhjen e qytetarëve të Kosovës me Malin e Zi”, ka thënë ministri Aliu.

SHARE