Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian kanë nënshkruar një marrëveshje financiare në vlerë prej 75 milionë eurosh në kuadër të programit të Instrumentit të Asistencës së Para-anëtarësimit në Bashkimin Evropian, i njohur me akronimin IPA, i cili financohet nga BE-ja për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Marrëveshja është nënshkruar në mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Fondet e përfituara të premten nga Kosova, përmes kësaj marrëveshjeje, do shfrytëzohen për sektorin e energjisë.
Marrëveshja hyn në fuqi nga 24 shkurti, tha Bislimi, duke shtuar se këto mjete do ndihmojnë në adresimin e ndikimit të krizës energjetike që Kosova, sikurse shtetet e tjera të Evropës, është duke e përjetuar.
Edhe shefi i zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, u shpreh se me këto mjete Kosova do ruajë qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike.