ASAMBLEJA E PËRGJITHSHME E OKB-së MIRATON REZOLUTËN NË MBËSHTETJE TË UKRAINËS

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi me shumicë dërrmuese të enjten një rezolutë ku bën thirrje për “paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe afatgjatë” sa më shpejt që të jetë e mundur në Ukrainë, në përputhje me parimet e Kartës së OKB-së.

Me 141 vota pro, 7 kundër dhe 32 abstenime, vendet anëtare mbështetën tekstin e paraqitur nga Ukraina ku theksohej rëndësia e arritjes së paqes. Rezoluta gjithashtu përsërit kërkesën e asamblesë që Rusia “të tërheqë menjëherë, plotësisht dhe pa kushte të gjitha forcat e saj ushtarake nga territori i Ukrainës në kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarisht, si dhe bën thirrje për ndalje të luftimeve”.

“Votimi i sotshëm është një evidencë tjetër se nuk është vetëm Perëndimi që mbështet Ukrainën; mbështetja është shumë më e gjerë, dhe do të vazhdojë të konsolidohet dhe të forcohet”, u tha gazetarëve pas votimit Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba.

SHARE