TIRANA, PRISHTINA DHE SHKUPI DËNOJNË SULMIN E RUSISË NDAJ UKRAINËS

Liderë dhe zyrtarë të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut kanë dënuar operacionin special ushtarak të Rusisë ndaj rajonit Donbas në lindje të Ukrainës, ndërkohë kanë shprehur mbështetje për popullin ukrainas. Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, shkruan se “Shqipëria dënon sulmin e pajustifikueshëm të Rusisë ndaj Ukrainës, duke shkelur ligjin ndërkombëtar dhe duke kërcënuar jetën e civilëve të pafajshëm.”  “I bëjmë thirrje Rusisë të tërhiqet nga veprimet ushtarake kundër integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës. Shqipëria qëndron me Ukrainën dhe popullin e saj në këtë orë të errët”, ka theksuar presidenti Meta.  Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në rrjetet sociale, duke theksuar se “mendimet tona janë me popullin ukrainas”.  “Ne bashkohemi me NATO-n dhe aleatët e BE-së në dënimin e ashpër të agresionit të Rusisë”, shkroi ai.Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga ana e saj, ka theksuar se Kosova do të bashkëpunojë me aleatët për të ndaluar de-stabilizimin e rajonit. Në një njoftim nga kabineti i presidentit të Maqedonisë së Veriut, thuhet se Presidenti Stevo Pendarovski “dënon fuqishëm” veprimet ushtarake të Rusisë mbi Ukrainën, të cilat “në mënyrë të pashmangshme do të çojë në humbje të pariparueshme të jetës njerëzore dhe në dëme materiale”. “Pushtimi i Ukrainës nga Rusia është një sulm ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës, një shkelje serioze e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare, një goditje për rendin demokratik dhe një kërcënim për stabilitetin e Evropës”, tha ai. Pendarovski theksoi se Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s i bashkohet thirrjes së Aleancës drejtuar Rusisë për të ndërprerë armiqësitë në territorin e Ukrainës. “Në emër të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, shpreh solidaritetin me popullin ukrainas në këto kohë të vështira”, u shpreh ai. “Kosova qëndron me Ukrainën dhe qytetarët e saj, të cilat po përballen me pasojat e një lufte të paprovokuar si rezultat i veprimeve të agresionit të Rusisë. Ne do të bashkëpunojmë me aleatët tanë për të ndaluar de-stabilizimin e rajonit tonë. Hegjemonia e Rusisë nuk do të ketë sukses. Liria dhe demokracia do të ngadhënjejë”, shkroi Osmani në rrjetet sociale. Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në rrjetet sociale ka theksuar se “në këto ditë të vështira” qëndrojnë pranë Ukrainës. “Vendimi i sotëm i Kremlinit së bashku me operacionin ushtarak të forcave ushtarake ruse nuk është gjë tjetër veçse një akt agresioni dhe fillimi i një lufte kundër Ukrainës. Ne i dënojmë këto akte sa më ashpër”, shkroi Osmani.

SHARE