RREZIKOHET ARMËPUSHIMI ME HEZBOLLAHUN / IZRAELI NUK TËRHEQ TRUPAT NË KOHË NGA LIBANI

Foto: EuroNews Albania

Benjamin Netanyahu ka njoftuar se trupat izraelite nuk do të respektojnë afatin e së dielës për t’u tërhequr nga Libani jugor, duke e futur në krizë armëpushimin me Hezbollahun.

Duke konfirmuar se Izraeli nuk do të përmbushë afatin e 26 janarit, zyra e kryeministrit tha në një deklaratë: “Procesi i tërheqjes së trupave izraelite është i kushtëzuar nga dislokimi i ushtrisë libaneze në Libanin jugor dhe zbatimi i plotë dhe efektiv i marrëveshjes, ndërsa Hezbollahu tërhiqet përtej lumit Litani.”

Në deklaratë thuhej se Izraeli e konsideronte armëpushimin si “ende të pazbatuar plotësisht” dhe se “procesi i tërheqjes me faza do të vazhdojë, në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara”.

Ndërsa Izraeli ka akuzuar Libanin për dështim për të përmbushur pjesën e tij të marrëveshjes, Libani ka akuzuar gjithashtu Izraelin për shkelje të armëpushimit.

Vendimi për të shtyrë tërheqjen, i marrë në një takim të kabinetit izraelit të enjten në mbrëmje, pason disa javë informacionesh që sugjeronin se Izraeli synonte të qëndronte në të paktën pesë pika në Liban.

Sipas armëpushimit të rënë dakord, i cili i dha fund luftës me Hezbollahun në Liban, forcat izraelite supozohet të kenë përfunduar tërheqjen e tyre brenda 60 ditëve, ose deri më 26 janar.

Këtë javë një deputet i Hezbollahut tha se çdo mosrespektim i afatit do të shkaktonte rrëzimin e armëpushimit.

“Ne në Hezbollah po presim 26 janarin, ditë në të cilën izraeli duhet të jetë tërhequr plotësisht nga Libani”, tha Ali Fajad.

“Nëse armiku izraelit nuk e respekton këtë, kjo do të nënkuptojë rënien e marrëveshjes së armëpushimit”.

SHARE