NËNKRYETARI CAMAJ TAKOHET ME NËNKRYETARIN E DHOMËS SË PËRFAQËSUESVE TË KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË ITALISË

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, në kuadër të vizitës së tij në Itali u takua me nënkryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Republikës së Italisë, Fabio Rampeli.

Nënkryetari Camaj e shfrytëzoi rastin për të falënderuar Italinë për mbështetjen që i jep Malit të Zi në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian.

Po ashtu, Camaj vlerësoi bashkëpunimin në misionet e NATO-s dhe të KFOR-it.

Duke folur për situatën aktuale politike, Camaj foli mbi arritjet e Kuvendit të Malit të Zi, i cili i ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm agjendës evropiane, duke miratuar një sërë ligjesh që dëshmojnë qartë kursin pro-evropian të shumicës qeverisëse.

Nënkryetari Camaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me kolegët italianë në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, me qëllim që Mali i Zi, si vend lider në procesin e anëtarësimit në BE, të eliminojë edhe një segment drejt përmbushjes së kushteve për anëtarësim.

Nënkryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit italian tha se Italia është e gatshme të ofrojë të gjithë ndihmën që del nga përvoja dhe ekspertiza që Italia ka në këtë fushë.

Rampeli rikujtoi se “korrupsioni humb kur qytetarët fitojnë.”

Camaj dhe Rampel ranë dakord se Mali i Zi dhe Italia janë vende mike që lidhen përmes historisë deri në ditët e sotme. Gjithashtu, gjatë bisedës, ata u dakorduan se të dy shtetet janë të gatshme për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve.

Në këtë kontekst, Camaj propozoi nxitjen e diplomacisë parlamentare dhe të bashkëpunimit përmes formimit sa më të shpejtë të Grupit Parlamentar të Miqësisë.  

Njëkohësisht, nënkryetari Camaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve përmes programeve të praktikës dhe ftoi kolegun e tij italian që të vizitojë Malin e Zi.

Nënkryetari Rampeli mbështeti propozimin, duke theksuar se bashkëpunimi me kolegët e Kuvendit të Malit të Zi është i shkëlqyer, dhe se formalizimi i një ideje të tillë do të ishte me përfitim të ndërsjellë.

Camaj shfrytëzoi rastin që të kërkoj përkrahjen për kandidaturën e përfaqësuesit të Malit të Zi, për nënkryetar të PAM-it (Asamblesë Parlamentare të Mesdheut), duke pritur mbështetjen e kolegëve italianë.

Nënkryetari i Dhomës së Përfaqësuesve e pranoi me kënaqësi ftesën për të vizituar Malin e Zi sa më shpejt të jetë e mundur.

SHARE