MANDIQ: NUK KAM VENDOSUR ENDE PËR MASA NDAJ DEPUTETËVE TË OPOZITËS, DUA TË GJEJMË GJUHËN E PËRBASHKËT

Foto: A Plus Me

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, ka theksuar se ende nuk ka vendosur për masat për deputetët e opozitës që bllokojnë punimet e seancave parlamentare dhe se dëshiron të gjejë zgjidhjen e krizës përmes diskutimit dhe marrëveshjes, prandaj edhe kërkoi të takohet me përfaqësuesit e opozitës.  

Mandiq ka thënë se dëshiron të bisedojë me përfaqësuesit e opozitës, konkretisht me PDS-në, e cila ka numrin më të madh të deputetëve të opozitës.

“Ky është vendi ynë i punës dhe ai takim nuk është dashur të jetë objekt interesi publik, sepse ne në Kuvend diskutojmë shumë tema. Më lejoni të them një fakt që është i dukshëm dhe të pyes kolegët e mi nga partia më e fortë opozitare se çfarë do të bënin nëse do të ishin në vendin tim. Fatkeqësisht, nuk arritëm të mbanim një takim të tillë dhe nuk mundëm të dëgjonim se çfarë mendojnë kolegët tanë nga opozita”, theksoi Mandiq.

Ai shtoi se dëshiron që Mali i Zi të pajtohet dhe të gjithë politikën e tij e bazon në gjetjen e gjuhës së përbashkët nga qeveria dhe opozita.

Opozita, shton ai, duhet ta dijë se mazhoranca ka përgjegjësi ndaj vendit dhe është përgjegjëse për ecurinë e vendit drejt BE-së, është përgjegjëse për rritjen e pagave dhe pensioneve, për investimet kapitale dhe që këto mjete të sigurohen dhe të përfitojnë çdo qytetar.

SHARE