TAKIMI GJEKA-HERASYMENKO: MBËSHTETJE PËR UKRAINËN NË LUFTËN PËR NJË SISTEM VLERASH DEMOKRATIKE

Ngjarjet e luftës në Ukrainë vazhdojnë të shkaktojnë krizë globale të sigurisë dhe mbështetja e vendeve mike është më se e mirëpritur, u theksua në takimin e ministrit Fatmir Gjeka dhe ambasadorit të Ukrainës në Mal të Zi, Oleh Herasymenko. Ukraina me luftën e saj të vazhdueshme tregon me këmbëngulje rëndësinë e demokracisë, megjithëse ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se sa është çmimi i kësaj, tha ministri Gjeka. Respekti i të drejtave të njeriut duhet të jetë në listën e përparësive të secilit shtet dhe secilit komb, tha Gjeka, dhe shtoi se ukrainasit nuk mbrojnë vetëm shtetin e tyre, por një sistem të tërë të vlerave demokratike të botës perëndimore.

Ministri shprehu gatishmërinë e tij për të vazhduar mbështetjen për Ukrainën, duke përfshirë edhe zgjerimin e programit të mbrojtjes së përkohshme për qytetarët ukrainas për këtë vit. Ambasadori Herasymenko theksoi se në këtë kuptim, Mali i Zi është shembull për shumë vende të tjera. Ai e informoi ministrin Gjeka edhe për zhvillimin e situatës në kuadër të rezistencës ndaj agresionit të armatosur rus dhe për krimet e luftës. „Qytetarët tanë në Mal të Zi ndihen të sigurt dhe të pranuar”, tha ambasadori dhe “ju falënderoj për këtë”. Herasymenko shprehu pritshmërinë e tij të sinqertë që Mali i Zi do të vazhdojë me sukses rrugën e integrimit evropian dhe se do të kapërcejë sfidat aktuale që e pengojnë atë. Në takim u konstatua se është me rëndësi të madhe të ndalohet humbja e mëtejshme e jetëve të pafajshme njerëzore dhe të sigurohet respektimi i të drejtave themelore të njeriut.

SHARE