KURTI: NJOHJET E REJA DHE FUQIZIMI I SUBJEKTIVITETIT NDËRKOMBËTAR JANË SUKSES I SHTETIT DHE REPUBLIKËS

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar se katër njohjet ndërkombëtare të arritura brenda një viti përbëjnë një sukses të rëndësishëm për shtetin dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, transmeton Anadolu.

Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, Kurti theksoi se hera e fundit kur Kosova kishte shënuar një ritëm të tillë njohjesh ishte më shumë se një dekadë më parë.

Ai tha se rëndësia e këtyre njohjeve rritet edhe më shumë pasi ato erdhën në një periudhë kur diskursi publik ishte i përqendruar kryesisht te rreziku i të ashtuquajturave çnjohje.

“Njohjet e reja dhe fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar janë sukses i shtetit dhe Republikës,” u shpreh Kurti, duke theksuar se lajmet e mira për vendin janë lajme të mira për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Ai nënvizoi se këto zhvillime përbëjnë një konfirmim të punës institucionale dhe të angazhimit diplomatik të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Më 26 mars të vitit 2025 Kosova u njoh nga Kenia, më 12 prill nga Sudani, më 29 tetor nga Siria, ndërsa më 19 dhjetor Bahamet ishin shteti i fundit që e njohën për këtë vit shtetin e Kosovës.

Bahamet u bënë shteti i 121-të në listën e shteteve që e kanë njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008.

SHARE