TERROR NË PARIS, VIKTIMA E TË PLAGOSUR

Tre persona u vranë dhe disa u plagosën nga të shtënat në qendër të Parisit të premten, sipas autoriteteve franceze. Numrin e viktimave e kanë konfirmuar prokurorët në Paris. “Janë tre të vdekur, një person në kujdes intensiv dhe dy persona me lëndime serioze. Po ashtu, i dyshuari që është arrestuar, është i lënduar “, thanë ata. Autori, besohet se është një 69 vjecar, drejtues treni në pension dhe hapi zjarr mbi një qendër kulturore kurde, pranë Gare du Nord. Prokuroria e parisit tha po ashtu se autori është i kombësisë franceze dhe se është hapur tashmë një hetim për ngjarjen. Edhe vetë autori i sulmit raportohet se ka mbetur i plagosur dhe është dërguar në spital. Mediat franceze kanë rrëmuar menjëherë në të shkuarën e 69 vjecarit dhe kanë zbuluar se ai ka precedentë të mëparshëm. Sipas të dhënave ai ka qenë nën hetim vitin e kaluar për tentativë vrasje pasi kishte sulmuar një kamp emigrantësh në Paris. Policia mundi tia largonte armën nga duart agresorit dhe e arrestoi atë gjatë cmendurisë që mori jetë njerëzish. Policia njoftoi më herët se kishte një incident me armë zjarri në Rue d’engien dhe i kërkoi publikut të qëndronte larg zonës. Një dëshmitar okular tha për agjencinë e lajmeve AFP se shtatë apo tetë të shtëna ishin dëgjuar ndërkohë që menjëherë pas kësaj kishte mbretëruar paniku në rrugë. “Ishte panik total. Ne u mbyllëm brenda në dyqan”, thotë një shitës në zonë. Parisi ka qenë arenë e një serie sulmesh vdekjeprurëse me thika dhe me armë zjarri, këto vite të fundit. Motivet ndërkohë mbeten ende të paqarta.

SHARE