BE-ja E PAKËNAQUR ME MIRATIMIN E PROJEKTLIGJEVE NË KOSOVË PËR ZYRTARË PUBLIKË DHE PËR PAGAT

Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj miratimit të projektligjit për zyrtarët publikë dhe atij për paga në sektorin publik, në Kuvendin e Kosovës të enjten. Sipas njoftimit nga Bashkimi Evropian, gjatë hartimit të këtyre projektligjeve, BE-ja kishte paraqitur disa komente, të cilat, sipas saj, nuk u morën parasysh në votimet e djeshme. “Komentet kishin për qëllim të udhëzojnë në mënyrën më të mirë dhe të mbështesin qeverinë për të siguruar një shërbim civil të depolitizuar dhe profesional, me një sistem transparent të shpërblimit të bazuar në merita, në përputhje me parimet e reformës së administratës publike dhe me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) ndërmjet BE-së dhe Kosovës”, thuhet në reagimin e BE-së. Sipas BE-së, projektligji i ri për zyrtarët publikë është problematik, “pasi shton liri të tepruar veprimi në procedurat e rekrutimit, transferimit, si dhe në procedurat disiplinore të nëpunësve civilë, duke e bërë shërbimin civil potencialisht të cenueshëm ndaj politizimit”. Deputetët e Kuvendit të Kosovës, pa mbështetjen e partive opozitare votuan në lexim të dytë projektligjin për pagat.

SHARE