Kryetarët e grupeve parlamentare miratuan të enjten programin dhe kalendarin e punës së Parlamentit deri në fund të dhjetorit që përkon edhe me mbylljen e sezonit të vjeshtës.
Qeveria ka dorëzuar para pak ditësh në zyrat e Kuvendit protokollin e firmosur në 6 nëntor në Itali mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes italiane, Giorgia Meloni.
Protokolli që vjen në formën e një bashkëpunimi mes Italisë dhe Shqipërisë do të shqyrtohet nga disa komisione parlamentare, por së pari nga ai i ligjeve që do të shohë përputhjen e marrëveshjes me Kushtetutën tonë dhe konventat ndërkombëtare.
Sipas vendimit të konferencës së kryetarëve, kjo marrëveshje do të votohet në séancë plenare të datës 21 dhjetor që është edhe seanca e fundit për vitin 2023.
Në nenin 3 të protokollit të datës 6 nëntor thuhet se pala shqiptare i njeh palës italiane të drejtën për përdorimin e zonave, sipas kushteve të përcaktuara në këtë protokoll dhe se zonat jepen pa kundërshpërblim për të gjithë kohëzgjatjen e këtij protokolli.
Në nenin 4 përcaktohet se palët bien dakord se numri i përgjithshëm i migrantëve të pranishëm njëkohësisht në territorin shqiptar, në zbatim të këtij protokolli, nuk mund të jetë më i lartë se 3 000 (tre mijë) veta.
Sipas marrëveshjes hyrja e migrantëve në ujërat territoriale dhe në territorin e Republikës së Shqipërisë do të kryhet ekskluzivisht me mjetet e autoriteteve kompetente italiane.
Në momentin e mbërritjes në territorin shqiptar, autoritetet kompetente të secilës prej palëve do të vijojnë veçmas me përmbushjen e kritereve të parashikuara nga dispozitat ligjore kombëtare përkatëse, si edhe duke iu përmbajtur kushteve të këtij protokolli.