SPAJIQ KUNDËR MODELIT TË ANËTARËSIMIT NË BE PA TË DREJTË VOTE: SOVRANITETI ËSHTË SHUMË I RËNDËSISHËM PËR NE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Kryeministri Millojko Spajiq ka deklaruar se nuk është përkrahës i idesë që Mali i Zi, pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), të jetë pa të drejtë vote.

Spajiq, në Londër, pas Samitit të Procesit të Berlinit, mori pjesë në panelin “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian: Rruga drejt anëtarësimit”, ku, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me modelin e anëtarësimit në BE pa të drejtë vote, tha se sovraniteti “është shumë i rëndësishëm për malazezët”.

“E dini, diçka duhet ta sakrifikoni që të fitoni diçka tjetër, apo jo? Pra, nëse nuk ka ekuilibër si anëtare, atëherë kjo vërtet nuk funksionon. Kjo është mendimi im. Në atë rast, do të bëheshim diçka e ngjashme me një anëtare të hapësirës ekonomike evropiane, siç janë Norvegjia, Zvicra, Lihtenshtajni. Është në rregull që të ekzistojë ai model, por ai është një shkëmbim pragmatik ku nuk je i detyruar të pajtohesh me gjithçka që bën Bashkimi Evropian. Mund të pranosh shumicën e gjërave, por përsëri mund të kesh disa përjashtime dhe devijime. Mendoj se edhe Britania e Madhe po përpiqet të bëjë diçka të ngjashme”, tha Spajiq.

Ai shtoi se, sipas mendimit të tij, nëse Mali i Zi nuk bëhet anëtare sipas modelit të deritanishëm të anëtarësimit në BE, atëherë vendi do të bëhet diçka e ngjashme me ato të përmendurat.

“Dhe atëherë duhet të pajtoheni me faktin që Mali i Zi të jetë një lloj ‘Zvicre në Ballkan’. Nuk e di nëse e duan këtë”, përfundoi kryeministri malazez.

SHARE