SHBA-ja GODET ME SANKSIONE KOMPANITË RUSE TË NAFTËS, BE-ja MIRATON PAKON E RE

Shtetet e Bashkuara vendosën të mërkurën vonë sanksione të reja që në shënjestër kanë dy kompanitë më të mëdha të naftës ruse – Rosneft dhe Lukoil – në përpjekje për t’i bërë trysni Moskës të ulet për të biseduar për arritjen e një marrëveshjeje për paqe në Ukrainë.

Ky vendim erdhi pak pasi BE-ja e miratoi të paketën e 19-të të sanksioneve ndaj Moskës, të mërkurën, për luftën e saj kundër Ukrainës, e cila përfshin edhe ndalimin e importeve të gazit të lëngshëm natyral të Rusisë (LNG).

Masat e Trumpit pasuan gjithashtu vendimin e Britanisë javën e kaluar për t’i sanksionuar Rosneftin dhe Lukoilin.

“Sa herë që flas me [presidentin rus] Vladimirin, kemi biseda të mira, por ato nuk të shpien askund. Thjesht nuk shpien askund”, tha presidenti amerikan, Donald Trump, pas një takimi me shefin e NATO-s, Mark Rutte, me të cilin bisedoi lidhur me negociatat e paqes.

Njoftimi për sanksionet erdhi një ditë pasi Trumpi njoftoi se takimi i planifikuar me presidentin rus, Vladimir Putin, në Budapest, do të shtyhej për kohë të papërcaktuar.

Vetëm disa orë para sanksioneve, Rusia kreu bombardime të fuqishme mbi Ukrainë, duke i vrarë të paktën shtatë njerëz, përfshirë fëmijë.

Departamenti amerikan i Thesarit tha se është i gatshëm të ndërmarrë masa të mëtejshme, duke i bërë thirrje Moskës ta pranojë menjëherë një armëpushim në luftën që nisi në shkurt të vitit 2022.

“Duke pasur parasysh refuzimin e presidentit Putin për ta përfunduar këtë luftë të pakuptimtë, Thesari po sanksionon dy kompanitë më të mëdha të naftës në Rusi që financojnë makinerinë e luftës së Kremlinit”, tha sekretari i Thesarit, Scott Bessent.

“Ne inkurajojmë aleatët tanë të na bashkohen dhe t’i respektojnë këto sanksione”, shtoi ai.

SHARE