MERC: VAZHDONI ME TË NJËJTIN RITËM, GJERMANIA OFRON MBËSHTETJE TË PLOTË

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Gjermania mbështet fuqishëm përparimin e Malit të Zi në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe është e rëndësishme që vendi të vazhdojë me të njëjtin ritëm për t’u anëtarësuar si një ekonomi e fuqizuar, deklaroi kancelari gjerman Friderich Merc gjatë takimit me kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq, në Londër.

Të dy zyrtarët biseduan për procesin e integrimit evropian të Malit të Zi dhe për rezultatet që ka arritur Qeveria e 44-të në këtë drejtim.

“U theksua se Mali i Zi ka mbështetje të fortë nga Gjermania dhe se në fazën e ardhshme të procesit të anëtarësimit një rëndësi të veçantë do të ketë kryesimi malazez i Procesit të Berlinit vitin e ardhshëm,” thuhet në njoftimin zyrtar.

Gjatë takimit u theksua se kjo do të ketë rëndësi të madhe për forcimin e bashkëpunimit midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri Spajiq prezantoi një plan ambicioz reformash, i cili synon që Mali i Zi deri në fund të vitit 2026 të mbyllë të gjitha kapitujt e negociatave, ndërsa dy vjet më vonë të anëtarësohet në BE.

“U vu theksi i veçantë në thellimin e bashkëpunimit ekonomik, forcimin e lidhjeve investuese dhe krijimin e mundësive të reja për investitorët gjermanë në Mal të Zi, veçanërisht në fushat e energjisë, turizmit dhe transformimit digjital,” thuhet në njoftimin e Qeverisë së Malit të Zi.

SHARE