Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë është pritur me ceremoni nga kryeministri Edi Rama.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen komentoi planin e rritjes, gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Edi Rama.
Ajo theksoi se Bashkimi Evropian do të japë 920 milionë euro për Shqipërinë, ndërsa u shpreh se është bërë punë e shkëlqyer për agjendën e reformave.
„Jam e gëzuar të shih se sa shumë ka arritur Shqipëria në rrugëtimin e saj, në fakt më në fund javën e shkuar hapën negociatat nuk duhet ta kërkojmë më këtë gjë, i dashur Edi çfarë suksesi ky që vjen si rrjedhojë e viteve me shumë punë dhe përkushtimi me këtë objektiv të përbashkët, dëshiroj të shfrytëzoj këtë mundësi që më jepet që të falënderoj ekipet,“ tha von der Leyen.
E pyetur nga gazetarët nëse hapja e kapitullit të parë në negociatat me BE, erdhi falë faktit se vendi ynë pranoi kampet e refugjatëve në Gjadër, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, u shpreh se rezultatet e Shqipërisë janë të shkëlqyera.
“Qartësisht jo, ne e dimë që procesi për t’u bërë shtet anëtar ose për të hap negociatat është shumë i qartë, shumë i detajuar, është transparent, bazohet te meritat që ka çdo vend. Do ta shikoni se rezultatet e Shqipërisë janë të shkëlqyera”, tha von der Leyen.
Gjatë konferencës, von der Leyen u shpreh se Shqipëria është shembulli më i mirë i tranzicionit të energjisë së pastër, duke marrë si referencë hidrocentralin e Vaut të Dejës.
Po ashtu ajo u shpreh se shumë shpejt në Shqipëri do të hapet grupi i parë me studentët për Kampusin e Europës, që sipas saj, këta të rinj do të jenë udhëheqësit e BE në të ardhmen.
“Plani për investimet në Ballkanin Perëndimor. Në Shqipëri janë mobilizuar investime 1.4 miliardë eurosh me fokus te tranzicioni i energjisë së pastër. Është e rëndësishme që partnerët tanë të jenë pjesë e kësaj nisme, por për Shqipërinë nuk ka për të qenë sfidë shumë e madhe sepse ju jeni lider në këtë fushë ndaj ne po punojmë me ju për projekte që mund ta fuqizojnë këtë lidershipin. Në fushën e energjisë që rinovueshme, për shembull kemi hidrocentralin e Vaut të Dejës, i pari në rajon. Kemi dhe një plan prej 50 milionë euro për eficensën e energjisë, për karikimin e makinave elektrike si dhe planet për autobusët eklektikë për Tiranën. Është dhe një projekt i veçantë, për Kampusin e kolegjit të Europës, ju e patët këtë ide të shkëlqyer i dashur Edi dhe ne dëshironim ta bënim realitet. Zyrtarisht do hapim vitin akademik për grupin e parë të studentëve. Këta të rinj janë udhëheqësit e rinj të Europës, kjo do të thotë që e ardhmja e Europës po formësohet me këta të rinj në Shqipëri”, tha ajo.