Komisioni Evropian miratoi sot Agjendën e Reformës së Malit të Zi, e cila hap rrugën për pagesën e parave nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Komisioni sot miratoi edhe agjendat e reformave të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë pas opinionit pozitiv të vendeve anëtare të BE-së.
“Në agjendat e tyre ambicioze të reformave, pesë qeveritë e Ballkanit Perëndimor angazhohen për reforma socio-ekonomike dhe themelore që do të ndërmarrin për të inkurajuar rritjen dhe afrimin me BE-në në kuadër të Planit të Rritjes për periudhën 2024-2027,” thuhet në deklaratën e KE-së.
Presidentja e KE-së Ursula von der Leyen tha se ishte e impresionuar nga puna e partnerëve nga Ballkani Perëndimor në agjendat e tyre të reformave.
“Kjo tregon se ata janë të përkushtuar për suksesin e Planit të Rritjes. Është harta jonë e rrugës për t’i afruar ekonomitë e Ballkanit Perëndimor me tonat dhe për t’u dhënë kompanive të tyre akses dhe mjete për të konkurruar në tregun tonë të vetëm. Të gjithë përfitojnë dhe është një hap i madh drejt Bashkimit Evropian”, tha ajo.