SLLOVAKI, MBAHET MINISTERIALI I MBROJTJES TË EVROPËS QENDRORE DHE BALLKANIT PERËNDIMOR

Në Bratislavë të Sllovakisë është zhvilluar takimi i Ministrave të Mbrojtjes të Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor (CEDC+WB).

Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se në punime morën pjesë ministrat e Mbrojtjes të Austrisë, Kroacisë, Çekisë, Hungarisë, Sllovakisë, Sllovenisë, si dhe homologët e tyre nga vendet e Ballkanit Perëndimor: Bosnjë e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Theksohet se konferenca e këtij viti kishte në fokus industrinë e mbrojtjes, modernizimin dhe armatimin.

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ishte pjesë e konferencës, ndërkohë në fjalën e tij ka theksuar se Shqipëria është një prodhues stabiliteti dhe sigurie në rajon.

Sipas njoftimit, ai ka shtuar se investimet, të ndërmarra në bashkërendim me BE-në dhe NATO lidhen ngushtësisht me infrastrukturën kritike si Koridori VIII, Porto Romano dhe forcimin e mbrojtjes civile

“Shqipëria është një prodhues stabiliteti dhe sigurie në rajon, falë më shumë se 500 trupave të angazhuara në misionet e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian si dhe përmes investimeve të rëndësishme në industrinë e mbrojtjes, që përfshijnë prodhimin e sistemeve të artilerisë, dronëve luftarakë, mjeteve të blinduara dhe municioneve”, ka theksuar Vengu.

Ai ka shtuar ndër të tjera se agjenda e anëtarësimit në BE dhe fuqizimi i mbrojtjes, sipas tij, si një shtyllë zhvillimi ekonomik dhe qëndrueshmërie kombëtare shkojnë krah për krah.

SHARE