NATO PARALAJMËRON RUSINË QË “TË NDALË” SHKELJET E HAPËSIRAVE AJRORE

NATO paralajmëroi Rusinë që të ndalë sjelljen “përshkallëzuese” të shkeljeve të hapësirave ajrore në krahun e saj lindor, pasi aleanca mbajti bisedime urgjente pas inkursionit të javës së kaluar në Estoni.

“Rusia mban përgjegjësinë e plotë të këtyre veprimeve, që përshkallëzojnë situatën, që rrezikojnë të ketë keqllogaritje dhe vënë në rrezik jetën e njerëzve. Këto veprime duhet të ndalen”, tha aleanca ushtarake prej 32 anëtarësh përmes një njoftimi.

“Rusia nuk duhet të dyshojë: NATO dhe aleatët, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, do të përdorin të gjitha mjetet e nevojshme ushtarake dhe joushtarake për të mbrojtur veten dhe për të penguar të gjitha kërcënimet nga të gjitha drejtimet”.

Në njoftim u shtua se NATO “do të vazhdojë të përgjigjet në mënyrën, kohën që zgjedh” dhe se angazhimi i aleancës për paktin e saj të mbrojtjes kolektive mbetet “i pathyeshëm”.

Estonia thirri konsultimet emergjente sipas Nenit 4 të traktatit themeltar të NATO-s pasi avionë luftarakë rusë shkelën hapësirën e saj ajrore për 12 minuta të premten e kaluar.

Ky incident – gjatë së cilit NATO-ja ngriti në ajër avionë – ndodhi një javë pasi aleanca rrëzoi dronë rusë mbi Poloni, duke detyruar Varshavën që të thërrasë konsultime të ngjashme.

Në përgjigje të inkursionit rus me dronë në Poloni, NATO-ja njoftoi se po forconte mbrojtjen e saj në lindje për të ndihmuar në zmbrapsjen e kërcënimit nga Rusia.

Përveç Polonisë, në krahun lindor të NATO-s janë edhe Rumania, Lituania, Letonia dhe Finlanda, që po ashtu kanë raportuar së voni shkelje të hapësirave të tyre ajrore.

Rritja e tensioneve ka nxitur frikë se lufta e Rusisë në Ukrainë mund të përhapet në mbarë kufirin e NATO-s.

Shtetet e NATO-s u zotua se “këto veprime dhe veprime të tjera të papërgjegjshme të Rusisë nuk do të zmbrapsin përkushtimin e aleatëve për mbështetjen për Ukrainën”.

Sipas Nenit 4 të NATO-s, çdo anëtar mund të thërrasë diskutime urgjente kur ndiejnë se “integriteti i tyre territorial, pavarësia politike apo siguria” janë në rrezik.

Bisedimet e së martës shënojnë herën e katërt që kur është aktivizuar Neni 4 që kur Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më 2022 dhe po ashtu shënojnë herën e nëntë që kur u themelua aleanca 79-vjet më parë.

Ndërkaq, siguria kolektive e NATO-s bazohet në parimin e Nenit 5: nëse një anëtar sulmohet, e gjitha aleanca i del në mbrojtje.

Ky nen është aktivizuar vetëm një herë në historinë e NATO-s pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.

SHARE