Foto: predsjednik.me
“Vuajtjet e popullit në Gaza sot janë një tragjedi që prek gjithë njerëzimin,” deklaroi Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, duke kërkuar armëpushim të menjëhershëm, lirimin e të gjithë pengjeve dhe respektim të plotë të të drejtës humanitare ndërkombëtare.
Millatoviq po merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku mori pjesë edhe në konferencën për Palestinën, të organizuar nga Franca dhe Arabia Saudite, nën drejtimin e presidentit francez Emmanuel Macron.
“Konferenca mblodhi mbi 140 liderë nga e gjithë bota dhe u zhvillua në një moment vendimtar për çështjen palestineze. Mali i Zi ripërsëriti mbështetjen e tij për Deklaratën e miratuar më 12 shtator në OKB, ku theksohet zgjidhja me dy shtete si rruga e vetme për paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Këtë Deklaratë e mbështetën 142 vende anëtare të OKB-së, përfshirë edhe Malin e Zi,” theksoi presidenti i Malit të Zi.
Ai shtoi se Mali i Zi e ka dënuar qartë sulmin terrorist të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, por theksoi se asnjë krim nuk mund të përdoret si justifikim për ndëshkimin kolektiv të civilëve.
“Asnjë fëmijë nuk duhet të jetë i uritur, asnjë familje e lënë pa ndihmë. Ndihma humanitare për Gazën duhet të dërgohet në mënyrë të shpejtë, të sigurt dhe pa pengesa,” tha Mlilatoviq, duke shtuar se Mali i Zi mbetet i përkushtuar ndaj parimeve të paqes, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor.
Ai përsëriti mbështetjen për një zgjidhje që garanton ekzistencën e dy shteteve – Izraelit dhe Palestinës – që jetojnë në paqe dhe siguri, duke theksuar se stabiliteti në Lindjen e Mesme është thelbësor për sigurinë globale.
“Mali i Zi është i gatshëm të japë kontribut konstruktiv në këtë proces, në përputhje me detyrimet dhe përgjegjësitë tona ndërkombëtare,” theksoi presidenti Millatoviq nga Nju Jorku.