Foto: Shutterstock
Komuna e Tuzit ka paraqitur kallëzim penal ndaj Ministrisë së Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore, për dyshim në veprim të paligjshëm dhe të parregullt në procedurën e lëshimit të kushteve urbanistiko-teknike që kanë të bëjnë me ndërtimin e kadeve sanitare nr. 5 dhe 6 në pjesën e parcelës kadastrale nr. 9/1, e cila gjendet në territorin e Komunës së Tuzit.
Sipas Komunës së Tuzit, këto kushte janë lëshuar pa marrë mendim dhe pëlqim nga organet kompetente të vetëqeverisjes lokale, gjë që përbën shkelje të drejtpërdrejtë të parimit të ligjshmërisë dhe kompetencës, të përcaktuara me Ligjin për planifikimin hapësinor dhe ndërtimin e objekteve.
Komuna thekson disa parregullsi serioze në proces:
- Mosrespektimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, siç kërkohet me nenin 74 të Ligjit për planifikimin hapësinor dhe ndërtimin e objekteve;
- Lëshimi i kushteve teknike nga “Ujësjellës dhe Kanalizim” Podgoricë për një zonë ku kompetente është ndërmarrja “Ujësjellës dhe Kanalizim” Tuz, me të cilën objekti përkatës ka marrëdhënie të rregullta kontraktuale;
- Lëshimi i kushteve të trafikut nga Sekretariati i Kryeqytetit për territorin e Komunës së Tuzit, që bie ndesh me kompetencën territoriale dhe ligjore të këtij institucioni.
Po ashtu, Komuna rikujton se më 28 dhjetor 2023, Kuvendi Komunal ka miratuar shfuqizimin e Vendimit për miratimin e Projektit Urbanistik “Deponia sanitare me qendër riciklimi” në Podgoricë, vendim që është botuar në Fletoren Zyrtare të Malit të Zi nr. 03/24.
Komuna e Tuzit nënvizon se do të mbrojë me vendosmëri kompetencat e saj ligjore dhe të drejtat e qytetarëve, duke refuzuar çdo veprim që bie ndesh me procedurat ligjore dhe që rrezikon sigurinë juridike dhe interesin publik.
„Komuna e Tuzit do të këmbëngulë në mbrojtjen e kompetencave të saj ligjore dhe të drejtave të qytetarëve, me përgjegjësi të plotë ndaj interesit publik dhe ligjeve që rregullojnë planifikimin hapësinor dhe ndërtimin e objekteve. Nuk mund të lejojmë që vendimet të merren jashtë procedurave të përcaktuara, sepse kjo cenon sigurinë juridike dhe të drejtat e qytetarëve tanë,“ theksojnë nga Komuna e Tuzit.
Autoritetet kompetente ftohen të shqyrtojnë ligjshmërinë e veprimeve të Ministrisë dhe të ndërmarrin masat e nevojshme për të mbrojtur rendin ligjor dhe të drejtat e qytetarëve të Komunës së Tuzit.