Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Elisa Spiropali kërkon zbatimin e marrëveshjes së Ohrit për përdorimin e Gjuhës Shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Brenda pak ditësh Gjykata Kushtetuese në vendin fqinj pritet të shprehen lidhur me padinë e bërë për ligjin e Gjuhëve, për të cilën vetë kryetari i Gjykatës ka deklaruar se ka një kaos juridik në të, duke nënkuptuar edhe shfuqizimin e disa neneve që e bëjnë shqipen gjuhë të dytë zyrtare.
Ndaj në vizitën e saj të parë zyrtare në Shkup, Spiropali pas takimit me homologun Afrim Gashi kërkon zyrtarisht që ligji që është në fuqi të zbatohet plotësisht.
“Një lloj siç jemi të interesuar, presim me besim dhe shpresojmë që të zbatohet plotësisht edhe Ligji për gjuhët. Gjuha shqipe, së paku për ne, është e shenjtë dhe ajo ka të bëjë me thelbin e identitetit tonë. Cenimi i saj në çdo formë, padyshim se dhëmb shumë dhe cenon këtë identitet që në ofrojmë në këtë botë të madhe në rajon e më tej si vlerën tonë”.
“Njohim dhe mirëkuptojmë shqetësimet për mundësinë e ndryshimeve të mundshme varësisht vendimit të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese por presim që trazime të tilla të kenë zgjidhje sipas frymës së Marrëveshjes së Ohrit”, tha Elisa Spiropali.
Ndryshe, gjatë muajit tetor pritet që Gjykata Kushtetuese të vendosë për kushtetutshmërinë e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Gjate vizitës në Shkup, Spiropali është pritur dhe nga kryeministri Mickoski, por dhe me Ali Ahmeti dhe Talat Xhaferi dhe kryetarin e LSDM, Venko Felipçe.