MBYLLJA E TË GJITHË KAPITUJVE MUND TË REALIZOHET NË VITIN 2026

Diskutimet ndërmjet delegacioneve të Qeverisë së Malit të Zi dhe Komisionit Evropian për hapat e ardhshëm në procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian vazhduan sot në Budvë dhe me atë rast u vlerësua se agjenda e Malit të Zi është ambicioze por realiste dhe se mbyllja e të gjithë kapitujve të negociatave mund të realizohet në vitin 2026.

Një nga mekanizmat për arritjen e standardeve evropiane në këtë kuptim është Agjenda e Reformës, për zbatimin e së cilës, siç vlerësojnë përfaqësuesit e Komisionit Evropian, nuk ka pengesa.

„Tani fokusi është në përmbushjen e qëllimeve të vendosura. Ne duam të shohim suksesin tuaj në zbatimin e Agjendës së Reformës dhe jemi këtu për t’ju mbështetur,“ tha Gert Jan Koopman, Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit.

Drejtori i Përgjithshëm tha gjithashtu se negociatat kanë një komponent transformues dhe se besueshmëria e vetë procesit të negociatave varet nga rezultatet e arritura. Koopman iu referua marrjes së IBAR-it, duke theksuar se ishte “një arritje kapitale e Qeverisë së Malit të Zi që hodhi një themel të mirë për zbatimin efektiv të agjendës së integrimit”.

Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është prioritet kombëtar dhe iu referua situatës aktuale politike, e cila, siç theksoi, garanton stabilitet dhe zbatim efektiv të obligimeve të marra.

„Ne jemi të përkushtuar ndaj obligimeve nga agjenda evropiane dhe nuk presim favore apo lëshime gjatë rrugës, sepse besojmë se mund të kontribuojmë në Union dhe të jemi urë lidhëse për vendet e tjera kandidate,“ tha Spajiq.

Në takim u ra dakord për dinamikat e bashkëpunimit të mëtutjeshëm dhe shkëmbimit të informacionit për përmbushjen më efikase të obligimeve të marra.

SHARE