DUSHAN DRAKIQ U ZGJODH USHTRUES DETYRE I DREJTORIT TË AGJENCISË PËR PARANDALIMIN E KORRUPSIONIT

Dushan Drakiq është zgjedhur sot ushtrues detyre i drejtorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK).

Drakiq në atë pozitë është zgjedhur në seancën e sotme të Këshillit të APK-së, raporton Portali Vijesti.

Sipas statutit të APK-së, i cili u miratua më 19 gusht dhe u botua në Gazetën Zyrtare një ditë më vonë, u.d të drejtorit të Agjencisë zgjidhet me shumicë të thjeshtë – votave të tre prej pesë anëtarëve të Këshillit.

Drakiq ishte shef i Departamentit për zbatimin e masave për kontrollin e financimit të subjekteve politike dhe fushatave zgjedhore.

Nga qershori i vitit të kaluar është kryetar i Organizatës Sindikale të Agjencisë.

Drakiq ka punuar në fushën e anti-korrupsionit që nga viti 2007 dhe ka marrë pjesë në hartimin e ligjeve dhe disa dokumenteve strategjike.

Ai ishte pjesë e grupit të punës për kapitullin 23 të negociatave, kryetar dhe anëtar i delegacionit malazez në organin e Këshillit të Evropës për luftën kundër korrupsionit (GRECO).

SHARE