Foto: Volim Podgoricu
Instituti i Hidrometeorologjisë dhe Sizmologjisë ka paralajmëruar se gjatë tre ditëve të ardhshme në Mal të Zi do të mbizotërojë një valë e fortë nxehtësie, me temperatura që do të kalojnë 40 gradë Celsius.
Sipas njoftimit, pjesa më e madhe e Ballkanit është nën ndikimin e një sistem termobarik me masë shumë të ngrohtë ajri, veçanërisht në zonat jugore dhe juglindore, ku edhe Mali i Zi ndodhet pranë boshtit të këtij sistemi.
Parashikohet që dita e premte dhe sidomos e shtuna të sjellin temperatura rekord.
Në Podgoricë, temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 40 gradë, ndërsa në veri dhe bregdet pritet të luhaten ndërmjet 36 dhe 38 gradë. Në ditën e shtunë, temperaturat pritet të jenë edhe më të larta me një ose dy gradë.
Megjithatë, kjo valë e gjatë e nxehtësisë pritet të ndërpritet të dielën, ose madje që të shtunën në mbrëmje, me ardhjen e masës së freskët dhe të lagësht të ajrit nga jugperëndimi dhe perëndimi.
Kjo do të sjellë reshje shiu, bubullima dhe stuhi të pjesshme në shumë zona të vendit, duke përfshirë edhe mundësinë e fenomeneve të përkohshme ekstreme të motit.
Në fillim të javës së ardhshme pritet mot i ndryshueshëm dhe temperaturat do të vazhdojnë të bien.