Kur kanë mbetur vetëm edhe pak ditë për skadimin e afatit të caktuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, është shënuar përpjekja e 51-të me radhë e dështuar, raporton Anadolu.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ashtu sikurse nga 1 maji 2025, propozoi krijimin e Komisionit ad-hoc për votimin e fshehtë të pozitës së Kryetarit të Kuvendit, por, kur deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, doli në foltore, ajo nuk propozoi ndonjë emër por vazhdoi me fjalim politik, gjë që e shtyu kryesuesin Dehari t’i ndalte mikrofonin asaj.
Por, Musliu, pas ndaljes së mikrofonit në foltore, iu kundërpërgjigj në të njëjtën mënyrë kryesuesit, duke mos e lënë as atë të flasë.
Pas kësaj situate kryesuesi Dehari tha se nuk ka kushte për vazhdimin e seancës, duke bërë të ditur se seanca vazhdon më 25 korrik 2025, në orën 11:00.
Në sallë gjatë kësaj përpjekje ishin të pranishëm 98 deputetë.
Presidentja Vjosa Osmani tashmë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për sqarim rreth asaj se çfarë ndodhë nëse kalohet afati 30 ditor, apo data 26 korrik, pa u konstituuar Kuvendi.
Osmani gjithashtu ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese edhe masë të përkohshme për pezullimin e rrjedhjes së afatit prej 30 ditësh, gjë që sipas saj, do të nënkuptonte “pezullim të afatit deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës lidhur me çështjet e ngritura”. Kjo do të bënte edhe që të mos ketë nevojë që seancat të mbahen çdo 48 orë.