MILLATOVIQ I PROPOZON KOMISIONIT FUTJEN E LISTAVE TË HAPURA

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka prezantuar një propozim për reformë të gjithanshme zgjedhore, të cilin kabineti i tij do ta dorëzojë sot ose nesër në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore.

Ky propozim përfshin tre ndryshime kryesore:

  1. Pjesëmarrja e kandidatëve të pavarur në zgjedhje – Do t’u mundësohet qytetarëve të kandidojnë pa qenë pjesë e ndonjë partie politike. Për t’u kandiduar kërkohen të paktën 1.000 nënshkrime si dëshmi serioziteti. Një kandidat i pavarur do të fitojë mandat vetëm nëse merr aq vota sa kërkohen për një vend në parlament (rreth 3.700–5.000 vota, sipas pjesëmarrjes në zgjedhje).
  2. Futja e listave të hapura – Qytetarët do të kenë të drejtë të zgjedhin jo vetëm partinë, por edhe deri në 10 kandidatë nga lista e asaj partie. Kjo i jep më shumë peshë votës së qytetarit dhe ul ndikimin e partive në përzgjedhjen e deputetëve.
  3. Barazi gjinore e plotë në Kuvend – Parashihet që listat të kenë renditje të alternuar burrë-grua, për të siguruar përfaqësim të barabartë gjinor. Millatoviq theksoi se 50% e popullsisë janë gra dhe ato duhet të kenë përfaqësim të barabartë.

Millatoviq theksoi se këto propozime janë në përputhje me rekomandimet e organizatave ndërkombëtare dhe përbëjnë hap të rëndësishëm drejt demokratizimit të sistemit zgjedhor në Mal të Zi.

Ai u shpreh i vendosur t’i çojë përpara këto ndryshime, edhe nëse nuk gjejnë menjëherë mbështetje në Kuvend.

Ai shtoi gjithashtu se reforma nuk duhet të reduktohet vetëm në çështje financimi për partitë, por të përqendrohet në rritjen e llogaridhënies, përfaqësimit të drejtë dhe transparencës.

Millatoviq përmendi edhe rëndësinë e konsultimeve me Komisionin Evropian dhe Komisionin e Venecias, për të garantuar një proces të hapur dhe të ligjshëm.

SHARE