Mbi 100 organizata humanitare dhe të të drejtave të njeriut u bënë thirrje qeverive të ndërmarrin veprime urgjente për të ndalur përhapjen e urisë në Gazë.
Ato, gjithashtu, kërkuan armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm, si dhe heqjen e të gjitha pengesave për shpërndarjen e ndihmave humanitare.
Në deklaratën e nënshkruar nga 111 organizata, përfshirë Mercy Corps, Këshillin Norvegjez për Refugjatët dhe Refugees International, paralajmërohet se uria në Gazë po përhapet me shpejtësi të madhe, ndërkohë që ndihmat jetike, si ushqimi, uji dhe barnat, qëndrojnë të pashpërndara pranë kufirit, pasi organizatave humanitare u ndalohet të veprojnë.
“Derisa rrethimi i Qeverisë izraelite po i lë të uritur banorët e Gazës, punonjësit e ndihmave po bashkohen me ta në radhët për ushqim, duke rrezikuar të qëllohen. Furnizimet kanë mbaruar plotësisht dhe organizatat humanitare po shohin kolegët dhe partnerët e tyre teksa rraskapiten para syve të tyre”, thuhet në reagim.
“Ndalesat dhe vonesat, të shkaktuara nga rrethimi total i Qeverisë izraelite, kanë krijuar kaos, uri dhe vdekje”, sipas organizatave.
Ato kërkuan që qeveritë të veprojnë menjëherë, duke hequr të gjitha pengesat burokratike dhe administrative që bllokojnë ndihmat; duke hapur të gjitha kalimet tokësore drejt Gazës; duke siguruar që ndihmat arrijnë te të gjithë njerëzit në nevojë, pa pengesa; duke refuzuar kontrollin ushtarak mbi shpërndarjen e ndihmave, si dhe duke rikthyer një ndihmë humanitare të udhëhequr nga OKB-ja, bazuar në parimet ndërkombëtare të ndihmës.
“Shtetet duhet të ndërmarrin masa konkrete – si ndalimi i transferimit të armëve dhe municionit – për t’i dhënë fund rrethimit”, thuhet në deklaratë.