Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Në Kuvendin e Malit të Zi sot është shqyrtuar Projektligji për ndryshime dhe plotësime të Ligjit të Përgjithshëm për Arsimin, i cili u prezantua nga ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Angjella Jakshiq Stojanoviq.
Ministrja theksoi se për herë të parë, me këto ndryshime përcaktohet në mënyrë eksplicite ndalimi i çdo forme dhune në institucionet arsimore, pavarësisht nëse ajo kryhet nga nxënës, prindër apo persona të tretë.
Shkollat, sipas saj, nuk do të kenë më të drejtë të injorojnë apo fshehin raste dhune do të jenë të detyruara të nisin procedurat përkatëse.
Ndryshimet ligjore parashikojnë gjithashtu masa për parandalimin e punësimeve të padrejta, vendosjen e kritereve të qarta për punësim, dhe vlerësimin e rregullt të punës së mësimdhënësve.
Në rast se mësimdhënësit nuk përmbushin standardet, do të dërgohen në trajnim, ndërsa ata që nuk tregojnë përmirësim, do të largohen nga procesi mësimor.
Një ndër risitë më të rëndësishme është edhe mundësia për largim të përkohshëm të një mësimdhënësi nga puna, në rast të një padie për ngacmim seksual, deri në përfundim të hetimeve.
Deputetja Jellenka Andriq nga Lëvizja „Evropa Tani“ e vlerësoi projektligjin si hap drejt krijimit të një ambienti më të sigurt arsimor, ndërsa deputeti i PDS-së Abaz Dizdareviq, kritikoi mungesën e përfshirjes së opinionit profesional dhe kriteret e paqarta për avancim.
Kritika u shprehën edhe për mungesën e licencimit të qëndrimeve të zgjatura në shkolla, si dhe për çështjen e integrimit të fëmijëve të huaj në sistemin arsimor, që sipas deputetes Nagja Lakoviq, shpesh krijon vështirësi në procesin mësimor për nxënësit e tjerë.
Deputeti Elvir Zvrko propozoi që si kriter për punësim në arsim të merret parasysh rangu i universiteteve ku janë diplomuar kandidatët, si dhe kohëzgjatja e studimeve, propozim ky që u përkrah nga ministrja.
Seanca vazhdon me diskutime të mëtejshme rreth ndryshimeve ligjore që, sipas ministrisë, synojnë një arsim më të drejtë, më cilësor dhe më të sigurt për të gjithë.