Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – njoftoi se ka nënshkruar një marrëveshje në Pekin me organizatat e tjera palestineze, për të punuar së bashku për “unitetin kombëtar”.
Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, i cili priti zyrtarin e lartë të Hamasit, Musa Abu Marzuk, të dërguarin e Fatahut, Mahmud al-Aloul, dhe emisarë nga 12 grupe të tjera palestineze, tha se ata kanë rënë dakord për të krijuar një “qeveri të përkohshme të pajtimit kombëtar”, për të qeverisur Gazën e pasluftës.
“Sot, ne nënshkruam një marrëveshje për bashkim kombëtar. Jemi të përkushtuar për të dhe bëjmë thirrje për të”, tha Abu Marzuk pas takimit me Wangun dhe të dërguarit e tjerë.
Njoftimi vjen më shumë se nëntë muaj pas shpërthimit të luftës në enklavën e Gazës – të kontrolluar nga Hamasi.
Shkas për këtë luftë është bërë një sulm i Hamasit në Izrael, më 7 tetor, i cili ka lënë të vrarë afro 1.200 njerëz – shumica civilë.
Atë ditë, grupi ka marrë peng edhe mbi 250 njerëz – prej të cilëve 116 mbeten në Gazë, ndërsa të tjerët ose janë liruar, ose janë vrarë.
Sipas autoriteteve shëndetësore në Gazë, sulmet hakmarrëse të Izraelit në enklavë kanë lënë të vrarë mbi 39.000 njerëz – kryesisht civilë – që nga nisja e luftës.
Kina ka bërë përpjekje të luajë një rol ndërmjetësues në këtë konflikt, i cili është bërë edhe më i ndërlikuar për shkak të rivalitetit midis Hamasit, i cili kontrollon Gazën, dhe Fatahut, i cili qeveris pjesërisht Bregun e pushtuar Perëndimor.
Në fund të takimit, Wang tha se grupet u zotuan për “pajtim”.
“Pika më e spikatur është dakordimi për të formuar një qeveri të përkohshme në Gazën e pasluftës”, tha Wang pas nënshkrimit të marrëveshjes në Pekin.
“Pajtimi është një çështje e brendshme për fraksionet palestineze, por, në të njëjtën kohë, ai nuk mund të arrihet pa mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar”, shtoi ai.
Kina është mbështetëse e zgjidhjes me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez.