Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump la të kuptohet përmes mesazhit të tij të fundit se mbështet perspektivën e rrëzimit të regjimit në Teheran, dhe se shënjestra e SHBA-së nuk është populli Iranian, por programi bërthamor i Republikës Islamike.
“Politikisht nuk është e pranueshme të përdoret termi ‘Ndryshim Regjimi’, por nëse regjimi i tanishëm iranian nuk është në gjendje ta bëjë Iranin madhështor sërish, pse të mos ketë një ndryshim regjimi??? MIGA!!!” shkroi shefi i Shtëpisë së Bardhë në platformën e tij Truth Social.
Vetëm pak orë përpara kësaj, disa figura të rëndësishme të administratës së tij si zëvendëspresidenti JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, theksuan se qëllimi i sulmeve ajrore të SHBA-së më 21 qershor ndaj objekteve bërthamore të Iranit nuk ishte shembja e qeverisë islamike teokratike, pro program bërthamor i vendit.
Kryediplomati Macro Rubio e nënvizoi se SHBA-ja nuk po kërkon luftë me Iranin. Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, tha nga ana e tij se sulmet amerikane zbuluan se qëndron pikërisht Uashingtoni “pas” fushatës së Izraelit kundër republikës islamike dhe u zotua për një përgjigje. Zyrtarët e mbrojtjes amerikane po punonin ende për të përcaktuar se sa dëme shkaktoi Operacioni “Midnight Hammer”- Cekani i Mesnates. Shefi i shtabit, gjenerali Dan Caine, pohoi më herët se nuk është ende e qartë deri në ç’pikë janë prekur aftësitë bërthamore të Iranit, dhe u tregua më i rezervuar në komente se Trump. Njeriu përgjegjës i OKB-së për energjinë bërthamore, Rafael Grossi, u shpreh po kështu se në këtë moment askush, përfshirë Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, nuk është në gjendje të vlerësojë realisht dëmet nëntokësore në Fordow.
Ndërkohë, sulmet e pashembullta vazhduan të shkaktojnë tronditje në Lindjen e Mesme dhe më gjerë. Linjat ajrore po përpiqen të ndihmojnë mijëra udhëtarë të bllokuar në rajon, ndërsa shumë vende kanë organizuar fluturime riatdhesimi për qytetarët. Departamenti i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së lëshoi një paralajmërim të dielën duke paralajmëruar aty sulme kibernetike e dhunë në SHBA, duke përfshirë krimet e urrejtjes antisemite.