TRIDHJETË E GJASHTË TENTIME, KOSOVA ENDE PA KUVEND TË RI

Deputetët vazhdojnë të dështojnë ta konstituojnë përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës edhe katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke e lënë vendin pa institucione të reja.

Ekspertët e çështjeve juridike-kushtetuese i kanë kritikuar partitë parlamentare për keqpërdorim të vakumit ligjor për bërjen e Kuvendit.

Ligjbërësit u mblodhën të hënën, për herë të 36 radhazi çdo të dytën ditë që nga 15 prilli dhe u larguan shpejt si rendom pa gjetur zgjidhje për zhbllokimin e ngërçit politik. Ata do të mblidhen përsëri pas 48 orëve, pra të mërkurën e 25 qershorit.

Çështja ka ngecur te emërimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Kjo është hera e 27-të që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe, nuk propozojnë nga një anëtar për formim të komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, meqë Haxhiu nuk ka arritur t’i marrë 61 votat e domosdoshme në votim të hapur.

SHARE