PARADA E SHQIPTARËVE NË NEW YORK, NJË FESTË E KRENARISË DHE TRASHËGIMISË KOMBËTARE

Në zemër të New York-ut u zhvillua një nga ngjarjet më të rëndësishme për komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara, Parada e Ditës së Shqiptarëve, një festë që bashkoi mijëra anëtarë të këtij komuniteti dhe solli në pah kulturën, traditat dhe krenarinë shqiptare.

Në këtë ngjarje madhështore mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së New York-ut, Eric Adams, i cili u prit nga përfaqësues të komunitetit shqiptar në qytet dhe shfaqi respekt të veçantë duke u shfaqur me plis tradicional në kokë dhe shall kuq e zi.

Parada e shqiptarëve në New York përbëhet nga një marshim ngazëllues përgjatë rrugëve kryesore të qytetit, ku flamuri kuq e zi valëvitej me krenari dhe këngët, vallet dhe kostumet tradicionale shqiptare krijonin një atmosferë festive dhe madhështore.

Përveç pjesëmarrësve nga komuniteti shqiptar vendas, në paradë morën pjesë edhe artistë, organizata kulturore dhe sportistë që përfaqësonin trashëgiminë dhe lidhjet e forta me atdheun.

Gjatë një takimi të veçantë me komunitetin, kryebashkiaku Eric Adams u shpreh me shumë emocion dhe humor: “Duhet ta doni Shqipërinë më shumë se Amerikën.”

Ai shtoi se edhe djali i tij është i apasionuar pas Shqipërisë dhe mezi pret të vizitojë vendin. Adams theksoi rëndësinë e paradës si një simbol të përfshirjes dhe diversitetit në New York: “Kur marshoni në rrugët tona, ju tregoni dhe shfaqni flamurin tuaj kuq e zi me krenari, duke afirmuar kështu identitetin tuaj.”

Kryebashkiaku theksoi se dashuria për atdheun nuk nënkupton braktisjen e vendit të adoptuar, duke shtuar se komuniteti shqiptar është shembull i shkëlqyer i integrimit dhe kontributit në shoqërinë amerikane.

Ai falënderoi shqiptarët për kulturën, punën dhe vlerat që sjellin në qytet, duke përmendur edhe rolin e rëndësishëm të anëtarëve të komunitetit në sigurinë publike të New York-ut, duke u referuar tek policët shqiptarë që shërbejnë me nder.

“Ju sillni besim, kulturë, etikë pune dhe siguri në këtë qytet,” tha Adams, duke shprehur mirënjohjen për kontributin e tyre të vazhdueshëm.

Ai nënvizoi se organizimi i paradës ishte një moment historik për komunitetin shqiptar, pasi u deshën plot 109 kryetarë bashkie para se të pranohej nevoja për një event të tillë madhështor.

Adams përmendi edhe lidhjen personale me Shqipërinë, duke treguar se djali i tij ka vizituar vendin dhe ka marrë pjesë në koncerte shqiptare.

Në fjalimin e tij emocionues, kryebashkiaku shprehu dëshirën për të vizituar Shqipërinë dhe për të shijuar bukuritë natyrore të saj: “Mezi pres të shijoj lumenjtë, detet, malet e bukura dhe gjithçka që keni për të ofruar.”

Parada e Ditës së Shqiptarëve në New York përfaqëson jo vetëm festimin e identitetit dhe trashëgimisë shqiptare, por edhe fuqinë dhe bashkimin e një komuniteti që me punën dhe përkushtimin e tij ka kontribuar në zhvillimin dhe diversitetin e një prej qyteteve më të mëdha të botës. Në këtë event festiv morën pjesë mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, duke dëshmuar lidhjet e forta dhe krenarinë për origjinën e tyre.

SHARE