Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka paraqitur në Gjykatën Kushtetuese një iniciativë për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së nenit 54, paragrafi 1, pika 2 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.
Në arsyetimin e kërkesës, Millatoviq thekson se dispozita e kontestuar nuk është në përputhje me Kushtetutën e Malit të Zi, konkretisht me nenet 150 paragrafi 2 dhe 145.
Sipas tij, ligji nuk mund të kufizojë të drejtën e organeve shtetërore për të nisur procedurë pranë Gjykatës Kushtetuese, gjë që ndodh me këtë nen, i cili ua njeh këtë të drejtë vetëm atyre organeve që zbatojnë ligjin në punën e tyre.
Millatoviq vlerëson se kjo bie ndesh me Kushtetutën dhe dobëson mekanizmin e kontrollit kushtetues.
Ai gjithashtu tërheq vëmendjen për mospërputhje me praktikat legjislative dhe me pozitën e Avokatit të Popullit, të cilit ligji i njeh të drejtën për të nisur procedura kushtetuese pa kufizime të tilla.
Në fund, Millatoviq propozon që Gjykata Kushtetuese të shpallë këtë dispozitë si antikushtetuese dhe që ajo të shfuqizohet ditën e publikimit në Fletoren Zyrtare të Malit të Zi.