KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE NIS PËRGATITJET PËR ZGJEDHJET LOKALE / NDRYSHIME PËR VOTUESIT JASHTË KOSOVËS

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka filluar përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, të cilat do të zhvillohen më 12 tetor 2025.

Qytetarët me të drejtë vote do të kenë mundësinë të zgjedhin kryetarët dhe përbërjet e kuvendeve komunale në të 38 komunat e vendit.

Procesi i votimit për qytetarët që ndodhen brenda territorit të Kosovës do të mbetet i pandryshuar. Megjithatë, për mërgatën, do të thotë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit janë bërë disa ndryshime të rëndësishme në mënyrën e votimit.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, në bazë të ndryshimeve të fundit në aktin nënligjor për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, votuesit që regjistrohen për të votuar nga jashtë vendit do të marrin me postë pakon me fletëvotim.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’ua dërgojë këtyre shtetasve pakon me fletëvotim në adresat e tyre,” tha Elezi.

Periudha e regjistrimit për pjesëmarrje nga diaspora do të jetë nga data 23 korrik deri më 29 gusht 2025. Votuesit që regjistrohen për të marrë pjesë në këto zgjedhje duhet të jenë të kujdesshëm që, pas përfundimit të procesit të votimit, pakot me fletëvotime t’i kthejnë prapa brenda afatit të përcaktuar, i cili fillon më 17 shtator dhe përfundon më 11 tetor.

“Është përgjegjësi e secilit votues që ta dërgojë pakon me fletëvotim në adresën e kutisë postare të KQZ-së, qoftë në Kosovë apo në kutitë postare që do të hapen nga KQZ-ja në disa vende të tjera të botës,” sqaroi më tej Elezi.

Ndryshe nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, ku u lejua votimi edhe nëpërmjet përfaqësive diplomatike jashtë vendit, kjo mënyrë votimi nuk do të jetë e mundur për zgjedhjet lokale.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, një opsion i tillë nuk parashihet për zgjedhjen e kryetarëve të komunave.

KQZ-ja u bën thirrje të gjithë qytetarëve, brenda dhe jashtë vendit, që të informohen në kohë për të gjitha afatet dhe procedurat në mënyrë që të sigurojnë pjesëmarrjen e tyre në këtë proces demokratik.

SHARE