Foto: Shutterstock
Nxënësit që kanë përfunduar klasën e nëntë patën tre ditë kohë për t’u regjistruar në shkollat e mesme përmes sistemit elektronik.
Këtë vit, rreth 7.000 nxënës kanë përfunduar shkollën fillore, ndërsa në shkollat e mesme janë në dispozicion rreth 10.000 vende.
Për shkollat profesionale të nivelit të katërt (katërvjeçare), pragu minimal i pikëve ishte 48, ndërsa për të hyrë në gjimnaz duheshin së paku 60 pikë.
Sipas drejtoreshës së Drejtorisë për arsimin gjimnazist dhe profesional, Marija Goshoviq, nxënësit me më pak se 48 pikë mund të regjistrohen në shkollat profesionale të nivelit të tretë, pra ato të ciklit trevjeçar.
Pas publikimit të listave të renditjes, çdo shkollë është e detyruar të shpallë në tabelën e shpalljeve emrat e nxënësve mbi dhe nën vijën e pranimit, më së voni deri më 24 qershor.
Prindërit dhe kandidatët kanë të drejtë ankese brenda tre ditëve, ndërsa këshilli mësimor i shkollës është i detyruar të japë përgjigje gjithashtu brenda tri ditëve.
Nëse pas afatit të parë mbeten vende të lira, në gusht do të hapet konkursi i dytë për ato vende.
Të drejtën për të aplikuar për regjistrim e kishin nxënësit që nuk ishin më të vjetër se 17 vjeç në momentin e aplikimit. Dorzimi i dokumenteve për ata që janë pranuar në drejtimin e dëshiruar bëhet menjëherë pas publikimit të listës së renditjes dhe zakonisht zgjat dy deri në tre ditë.